Zinxhiri i vrasjes godet sërish familjen Bilali në Tiranë, ekzekutohet në atentat Arben Bilali

  • 5 years ago
TIRANË - Zinxhiri i vrasjeve në Tiranë godet sërish familjen Bilali. Pas vrasjes së dy vëllezërve, Bujar Bilali në vitin 1997 dhe Leonard Bilali në 2010-ën, mesditën e sotme në zonën e Selitës është ekzekutuar me tre plumba, Arben Bilali ish-punonjës policie, duke e çuar në tre numrin e vëllezërve të vrarë. Ka qenë ora 14:30 minuta të ditës së sotme kur ndaj Arben Bilali, 50-vjeç, është hapur zjarr vdekjeprurës nga një automjet tip "Mercedens Benz" me ngjyrë të zezë dhe me targa të huaja. Policia po heton pikërisht pistën e hakmarrjes nisur nga dinamkia e ngjarjeve kriminale prej 22 vitesh në Tiranë. Kjo pasi Bilali ka pasur konflikte me familjen Xhabafti në Tiranë. Konflikte të nisura në vitet 1994 dhe 1997, kur ka mbetur i vrarë Bujar Bilali si pikënisje e ngjarjeve kriminale në kryeqytet që është pasur me disa atentate të përgjakshme.

Edhe pse është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit, Arben Bilali nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Arben Bilali ishte banor i zonës së Selitës dhe ngjarja ka ndodhur pak metra larg banesës së tij teksa ai ishte duke ecur në këmbë. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.

Report Tv ka siguruar edhe pamjet e para nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se tre kanë qenë autorët e atentatit të cilët të maskuar kanë hapur zjarr në drejtim të ish-oficerit. Vrasësit janë larguar me shpejtësi në drejtim të "Unazës së Re" çka tregon se ata e kanë njohur mirë zonën. Kamera e një biznesi aty pranë dyshohet se ka filmuar momentin e atentatit, ndërkohë që grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike dhe po i këqyr për të hedhur dritë mbi autorët e këtij krimi.

Report Tv mëson gjithashtu se Bilalit i është bërë një atentat edhe në maj të vitit 2010 nga i cili ai ka mbetur i plagosur po në zonën e Selitës. Ndërsa disa muaj më pas, në gusht të vitit 2010 atij i kanë ekzekutuar vëllanë, Leonard Bilali ish-mundës i Dinamos, 33-vjeç i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia. Ai u qëllua teksa ishte i ulur në një nga tavolinat e një bar-kafeje pranë stacionit të fundi të autobusit të Tiranës së Re, në rrugën ?Irfan Tomini? në kryeqytet. Ditën e sotme, në të njëjtën rrugë u ekzekutua edhe ish-oficeri Arben Bilali. Historiku i përgjakjeve vijon që nga viti 1997 kur është ekzekutuar një tjetër vëlla i Arben Bilalit, pikërisht Bujar Bilali.

Recommended