Rikthehet Moti i keq

  • 5 years ago
Moti i keq është rikthyer sërish në vendin tonë. Këtë herë problematika më e madhe është në zonat bregdetare. Si pasojë e reshjeve dhe erës së fortë, puna në Portin e Vlorës është pezulluar nga Kapiteneria.

Sipas Kapitenerisë së Portit të Vlorës, lundrimi do të lejohet vetëm me përmirësimin e kushteve të motit. Trageti po qëndron në radë ndërsa mjetet e tjera janë urdhëruar të strehohen në zonën e Triportit në Zvërnec.

Me të njëjtën situatë po përballet edhe Durrësi, ku aktualisht është bllokuar lëvizja e anijeve tregtare dhe të peshkimit. Autoritetet portuale kërkojnë nga të gjithë subjektet që operojnë në fushën e detarisë që të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rritet shkalla e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete.

Tragetet në Durrës janë planifikuar të udhëtojnë rreth orës 23:00. Në jug dhe juglindje, janë rikthyer reshjet e dëborës duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar po punohet për mbajtjen hapur të rrugëve ndërsa është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve në akset ku moti i keq ka shkaktuar probleme, edhe sa i takon furnizimit të energjisë elektrike. Për të rithyer energjinë në zonat ku mungon, specialistët janë detyruar të punojnë dhe në kushte të vështira.

Tv Klan