Denimi i administratorit të “Rruges se Kombit”
  • 5 years ago
Vendimi për dënimin me 6 vite burg nga Gjykata e Avelinos në Itali i Nicola Spadavecchia, administratori italian i kompanisë që po zbaton koncesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, pritet të ndikojë edhe te kompania shqiptare. Në një prononcim për Televizionin Klan, përfaqësues shoqërisë koncesionare, Albanian Highway Concession shpk thonë se në ditët në vijim do të vendoset se çfarë masash do të ndërmerren ndaj administratorit.

Ai u shpall fajtor nga Gjykata e Avenilos në Itali për ?shpërdorim detyre?, pasi gjatë kohës që ka punuar si inxhinier në vendin e tij për kompaninë ?Autostrade per Italia?, nuk ka kryer kontrollet dhe mirëmbajtjen e nevojshme të urës Akualunga, në të cilën humbën jetën 40 persona në një aksident në vitin 2013, pasi një autobus ra nga ura për shkak se mbrojtëset ishin të dëmtuara.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Spadavecchia u emërua administrator i vetëm i shoqërisë së krijuar nga konsorciumi Kastrati-Salillari, në fund të Tetorit 2017, edhe pse ishte 67 vjeç, i dalë në pension dhe nën hetim për aksidentin tragjik. Ai vijon të jetë administrator dhe sipas ekstraktit të nxjerrë nga QKB, mandati i tij përfundon në Tetor të vitit 2022.

Gjykatësi antikorrupsion Raffaele Cantone arriti në konkluzionin se në vitin 2009, në një tender të rëndësishëm për rindërtimin e barrierave anësore në atë pjesë të autostradës, e cila administrohej nga Spadavecchia, nuk u përfshi zëvendësimi i barrierave të vjetra, të cilat as nuk ishin kontrolluar, pavarësisht se ishin të gërryera në pjesën e lidhjes me asfaltin.

Tv Klan
Recommended