"Cakaj”, Meta kërkon Komision Hetimor për DSIK
  • 5 years ago
Përshpejtimi i procedurave për dhënien e certifikatës së sigurisë për Gent Cakajn i kanë dhënë mundësi Presidentit të Republikës që të ndërmarrë një tjetër nismë. Përmes një shkrese dërguar Kryetarit të Kuvendit dhe përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare, Ilir Meta kërkon ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që është në varësi të Kryeministrit.

"Referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, konstatohet qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit. Duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast".

Meta thotë në letrën e tij se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka anashkaluar verifikimin e të dhënave kur Cakaj ka qenë në Hungari dhe Belgjikë dhe se hetimi sipas tij për këtë çështje nuk mund të kruhet nga institucione në varësi të kryeministrit.

"Nisur nga fakti që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të Kryeministrit, pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti".

Presidenti shpreh besimin se Kuvendi i Shqipërisë do të përmbushë me përgjegjësinë dhe seriozitetin e një institucioni, vend anëtar i NATO-s, angazhimet e tij në shqyrtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin tonë dhe përgjegjësitë e tij kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tv Klan
Recommended