Shqipëria dëbon ambasadorin e Iranit

  • 5 years ago
Ambasadori i Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe një tjetër diplomat iranian, janë dëbuar nga Shqipëria, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në planifikimin e një sulmi terrorist në vendin tonë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i tha televizionit Klan se shpallja non-grata e dy diplomatëve u bë pasi dyshohet të jetë përfshirë në veprimtari që cënojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Në sqarimin e ministrise thuhet: "Shqipëria ka marrë vendim për shpalljen si persona të padëshiruar të dy diplomatëve të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik".

Dëbimi i ambasadorit të Iranit u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Përgëzoj vendimin e Kryeministrit Edi Rama për dëbimin e dy agjentëve iranianë që po planifikonin një sulm terrorist në Shqipëri", shkruan Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Sipas kryediplomatit amerikan, vendet europiane kanë parandaluar tre sulme terorriste të orkestruara nga Teherani këtë vit.

Edhe Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Trump, John Bolton përgëzoi qeverinë shqiptare për dëbimin e ambasadorin iranian nga vendi. "Mbështetja e terrorizmit nga liderët iranianë, nuk do të tolerohet. Jemi përkrah Kryeministrit Rama dhe popullit shqiptar", shkruan Bolton.

Ende nuk dihet se për çfarë plani bëhet fjale, por dyshimet bien mbi sulmin terrorist të parandaluar në Shkodër ndaj ekipit të futbollit të Izraelit në vitin 2016.

Recommended