Vasilika Tafa: Nëse do t’i bësh njerëzit të lumtur, bëji të lexojnë libra

  • 5 years ago
Shtëpia e librit Ombra GVG, e themeluar në vitin 1998 nga bashkëshortët Vasilika dhe Gëzim Tafa, është një ndër emrat e njohur në botimet shqiptare. Presidentja e Ombra GVG, Vasilika Tafa, beson se hapi i parë i suksesit me një shtëpi botuese ka qenë dashuria që ka për librin. Vasilika Tafa rrëfen se të drejtosh një shtëpi libri dhe të ruash dinjitetin e logos botuese, është një sfidë që kërkon strategji e përgjegjësi të veçanta.

Vasilika ndihet me fat në punën e saj drejtuese, sepse bashkëshorti i saj, Gëzim Tafa, një piktor i talentuar dhe studiues i njohur, i ka dhënë mbështetje me ide dhe diskutime të frytshme. Ky fill bashkëpunimi nuk ndërpritet asnjë çast në shtëpinë botuese Ombra GVG. Ata janë tepër kritikë para botimit të një vepre, sidomos kur libri nuk ka vlera bindëse.

Pjesëmarrëse në sfidat e reja të tregut të librit, thotë se veprimtarinë e saj e ka mbështetur në disa kolana të letërsisë shqipe dhe të huaj, klasike dhe bashkëkohore. Ajo beson se botimet e saj kanë ndikuar dukshëm në cilësinë e tregut të librit shqip, ku vihet re një kujdes i veçantë profesional dhe grafik.

Vasilika Tafa nuk është vetëm ?zonja e librit?, por ajo është edhe nëna e dy fëmijëve, të cilët kanë mbetur të lidhur ngushtë me punën dhe pasionin e prindërve të tyre. Tregu i librit nuk është i lehtë, dhe për fat të keq librat nuk i dashurojnë të gjithë, por brenga e Vasilika Tafës është kur ata që e duan më shumë librin nuk kanë lekë për ta blerë.

Vasilika Tafa pas një pune të gjatë 20-vjeçare në drejtimin e Ombra GVG, është përpjekur që botimet e saj të jenë pjesë e rëndësishme e rretheve intelektuale e akademike, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trevat ku flitet shqip e më tej. Drejtimi vizionar i Vasilika Tafës, në një koordinim plot harmoni me bashkëshortin Gëzimin, ka rritur cilësinë e tregut të librit shqip dhe afrimin e tij me standardet më të larta evropiane.

Recommended