Arta Marku urdhër vartësve në rrethe: Brenda shtatorit dorëzoni listën e personave në kërkim
  • 6 years ago
Situata e fundit kriminale ka vënë në lëvizje edhe Kryeprokuroren e Përgjithshme. Arta Marku zhvilloi sot një takim me të gjithë drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit. Në mbledhjen e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, Marku ka kërkuar rritjen e bashkëpunimit me Policinë dhe agjencitë e tjera të ligjit, ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin e krimit në tërësi, dhe në veçanti krimit kundër jetës, pronës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeprokurorja ka kërkuar vëmendje të shtuar për dosjet e pezulluara pa autor, kryesisht të vrasjeve, tërheqjen dhe analizën e detajuar të tyre, me qëllim kryerjen e veprimeve të gjithanshme, me shpejtësi dhe efikasitet në drejtim të zbulimit të autorëve.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes, nga Prokurori i Përgjithshëm u është kërkuar drejtuesve të prokurorive, të paraqesin brenda muajit shtator, listën e përditësuar të personave në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit marrjen e të gjitha masave për evidentimin dhe kapjen e tyre.

Për më tej, Kryeprokurorja u ka kujtuar drejtuesve të prokurorive detyrimin ligjor për raportimin dymujor të gjendjes së kriminalitetit në rrethet përkatës.

l.q.
Recommended