Report TV - Sezoni turistik, fluks në pikat kufitare, 53 mijë persona hynë në Shqipëri në një ditë

  • 6 years ago
Policia Rrugore publikon shifrat e hyrjeve në të gjitha pikat e kalimit kufitar në kuadër të sezonit turistik. Kreu i Policisë Rrugore, Mitat Tola bën të ditur se këtë fundjavë edhe falë masave shtesë të marra dhe bashëpunimit përdorues rruge + Polici Rrugore, nuk u regjistrua asnjë aksident rrugor me pasoja serioze për jetën, në zonat turistike. Fluks i jashtëzakonshëm në pikat e kalimit kufitar ka qenë ai i datës 4 gusht, kur në Shqipëri kanë hyrë 53 mijë persona dhe 12 300 automjete.

Vetëm në datën 4 Gusht nga Pikat e Kalimit Kufitar kanë hyrë në territorin e Shqipërisë mbi 53 mijë shtetas dhe kanë tranzituar po në këto pika për në Shqipëri mbi 12.300 mjete. Për 3 ditë Drejtoria e Policisë Rrugore - falë bashkëpunimit intesiv me radiot me shtrirje kombëtare - komunikoi informacion të detajuar tek drejtuesit e mjeteve në lidhje mbi rrjedhshmërinë e trafikut, ngarkesën dhe bllokimet ose ngadalësimet e tij, si dhe rrugët alternative kur pati mbingarkesë.

Gjithashtu nëpërmjet mediave lokale dhe rrjeteve sociale, 12 drejtuesit e shërbimeve të Policisë Rrugore komunikuan dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë, për çdo sqarim dhe kërkesë të qytetarëve në lidhje me informacionin për trafikun.

Mitat Tola, kreu i Policisë Rrugore
Krahas menaxhimit të lëvizjes, në kuadër të parandalimit të ngjarjeve me pasoja të rënda në akset rrugore, gjatë fundjavës janë arrestuar 58 shoferë.

Nga këta 21 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 37 për mungesë të lejes së drejtimit. Policia ka pezulluar gjithashtu 254 leje drejtimi, për tejkalim të limiteve të shpejtësisë dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj. Për mbi 7.800 drejtues mjeti janë vendosur masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.

Recommended