Report TV - Tritoli në banesën e Gazmir Dacit në Bathore, del para gjykatës autori Vilson Brahja

  • 6 years ago
"Më tha vendose tritolin te shtëpia ime, se e dua për azil". Kështu është shprehur Vilson Brahja, i riu i akuzuar për atentatin me eksploziv në banesën e Gazmir Dacit në Bathore javën e kaluar. Daci ndodhet në burg i dënuar me 35 vite për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe ngjarja u dyshua për hakmarrje mnes dy fiseve. Sipas Prokurorisë, Brahja u identifikua nga pamjet filmike teksa largohej me një automjet me targa të Kosovës pak çaste pas ngjarjes.

Përpara trupi gjykues Brahja ka rrëfyer se para tre vitesh ka njohur një shok në shkollë dhe ai para pak ditësh i ka kërkuar t'i gjente dikë për të vendosur tritol. Brahja ka shtuar se ai e ka marrë vetë përsipër aktin kundrejt 5 mijë eurove, 1500 nga të cilat i ka marrë cash, ndërsa pjesën tjetër nuk e ka marrë kurrë pasi porositësi i ka fikur telefonin të nesërmen.

Ai ka thënë se veprën e ka kryer kundrejt pagesës dhe se nuk ka lidhje me konfliktin e fiseve Daci-Kolaveri. Brahja është penduar përpara trupës gjykuese, ndërsa ka dhënë detaje për porositësin. Sipas tij, ai ka qenë një i ri rreth moshës 24-25 vjeç i cili i ka thënë të vendoste tritolin te banesa e Dacit, pasi i ka thënë se ishte shtëpia e tij, dhe e donte për të përfituar azil në vendet e BE. Brahja nuk ka qenë në gjendje të identifikojë nëse porositësi ka lidhje apo jo me fisin Daci.

Recommended