Tom Doshit i ndalohet hyrja ne SHBA
  • 6 years ago
Pas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Departamenti Amerikan i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara edhe deputetit të Shkodrës Tom Doshi, i zgjedhur në legjislaturën e fundit të Kuvendit nën siglen e Partisë Socialdemokrate.
Shpallja non grata e Tom Doshit nga autoritetet amerikane bëhet për shkak se ai dyshohet të jetë përfshirë në afera të mëdha korruptive, siç argumentohet edhe në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
?Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të afërt i ndalohet hyrja në SHBA?.
Krahas deputetit të Shkodrës, DASH ndalon të hyjnë në SHBA edhe bashkëshorten e tij Xhovana Doshi, vajzën e madhe Briana Doshi, djalin në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët e mitur.
Edhe më herët Shtetet e Bashkaura ishin pozicionuar kundër Tom Doshit. Më 2 Mars të vitit 2015 ambasada amerikane në Tiranë përshëndeti përjashtimin e tij nga Partia Socialiste.
Ndalimin e hyrjes në SHBA për deputetin Doshi dhe familjen e tij, Departamenti i Amerikan i Shtetit zgjodhi ta njoftojë përmes një deklarate për shtyp, në ndryshim nga rasti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, që u bë publik përmes një njoftimi të Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson.
Recommended