Xhafaj: Pas policise Vetting edhe per politikanet
  • 6 years ago
Teksa në sistemin e drejtësisë ka nisur vetingu ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pritet që këtij procesi t?i nënshtrohet edhe Policia e Shtetit, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar se në sitën e vetingut do të kalojnë edhe politikanët. Por demokratët gjatë diskutimit të ligjit për vetingun në polici e cilësuan show draftin që sipas tyre duhet të nisë nga ata që e njollosën Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, mbështetës i vetingut në radhët e sistemit të drejtësisë dhe policisë ka paralajmëruar se përjashtim nga ky proces nuk do të bëjë as politika. Këtë deklaratë Xhafaj e bëri në Komisionin e Sigurisë, ku diskutohej në parim vetting-u në radhët e uniformave blu.

Ministri Xhafaj: "Po të isha punonjës i policisë ose gardës do isha subjekt. Nëse duhet ligj i vetingut për politikën, jam i pari që do e votoj dhe ju jap një draft meqë jam hartues i reformës në drejtësi dhe kjo do ishte një gjë pozitive. Si është hartuar reforma në drejtësi shumë shpejt do ketë veting në politikë dhe veçanërisht ndaj atyre që kanë pasur rol vendimmarrës".

Demokratët ndonëse shprehen pro vetingut në polici, përgjegjës për inkriminimin e uniformave blu bëjnë Kryeministrin Rama.

Flamur Noka: "Ky veting duhet të fillojë nga lart-poshtë, nga ata që e shkaktuan dhe e sollën në këtë gjendje dhe duhet të vazhdojë pastaj deri tek polici i thjeshtë. Se nuk ka bërë ndonjëherë vaki në vend se të ishin në kërkim kriminelët, sot ke më shumë të kërkuar në kupolën e policisë. Sot të gjithë ish-drejtorët që i patët ju dhe u mburrët me to në 4 vjet, janë në kërkim. Të gjithë janë të zhdukur dhe nuk janë fare as në Shqipëri ose janë fshehur në Shqipëri. Kostot e kësaj maskarade sigurisht që i bien qytetarëve, i bien vendit. Po kush i shkaktoi?! I shkaktoi qeveria, i shkaktoi kryeministri i vendit".

Vetingu në Policinë e Shtetit pritet të zgjasë rreth 24 muaj dhe krahas efektivëve të uniformave blu, pjesë e tij do të jenë edhe punonjësit e gardës.
Recommended