Report TV - Pamje me dron nga aksioni për shembjen e 40 objekteve në Fier

  • 6 years ago
Report Tv ka siguruar pamjet me dron nga aksioni i shembjes së 40 objekteve në kuadër të projektit të ri të qendrës së qytetit të Fierit dhe lumit Gjanica. Janë 40 objekte që do të shemben, aksioni i parë që ka nisur që në orët e para të mëngjesit përfshin shembjen e 24 objekteve 17 prej të cilëve kanë depozituar dokumentacionin për dëmshpërblim. Pjesa më e madhe e objekteve janë në qendër të qytetit, ndërsa pjesa tjetër në dy anët e lumit Gjanica.
Për katër objekte, specialistët e IKMT kanë vendosur të përdorin lëndë eksplozive. Objektet që do të prishen nga IKMT janë dy dhe disa katëshe me funksione të ndryshme shërbimi. Nuk është regjistruar asnjë incident mes qytetarëve dhe inspektorëve në terren.

Faza e parë e këtij projekti do të nisë me lirimin e hapësirave për zbatimin e projektit të qendrës së Fierit. Faza e dytë e projektit konsiston në sistemimin dhe rehabilitimin e shtratit të lumit Gjanica, pasi pjesa më e madhe e ndërtimeve janë bërë në brendësi të shtratit te lumit duke sjellë edhe përmbytje thuajse cdo vit. Ndërsa faza e tretë dhe përfundimtare do të jetë krijimi i një hapësire të gjelbëruar përgjatë të gjithë shtratit të lumit Gjanica. Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi fondin financiar prej 4 miliardë lekësh për të kompensuar të gjitha objektet pranë lumit Gjanica.

Recommended