Report TV - Zharrez,‘Bankers’ do të mbjellë 10 ha tokë me pemë,pastrohet ajri

  • 6 years ago
Rreth 10 hektarë toke pranë lumit Seman do të mbillen me pemë nga Bashkia Patos në bashkëpunim me kompaninë Bankers Petroleum. Projekti që kap vlerën e rreth 200 mijë dollarëve ka nisur të zbatohet dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe tokës për banorët e fshatit Belinë.

Pemët do të mbillen përgjatë rrjedhës së lumit Seman dhe përveç mbrojtjes së argjinaturës së tij do të mundësojnë edhe krijimin e një brezi të gjelbër që ndan zonën industriale nga ajo rezidenciale.
Infrastruktura e ndërtuar brenda argjinaturës ka qenë shpesh burim problemesh për banorët e Belinës, të cilët janë ankuar për përmbytje të tokave bujqësore, zhurma dhe pluhur. Gjatë vitit 2017, Njësia Administrative Zharrëz në një projekt të përbashkët me Bankers Petroleum, ndërhyri për përmirësimin e kullimit të tokave brenda argjinaturës duke rehabilituar edhe kanalin në krah të digës.

Së bashku me rehabilitimin e kanalit, u morën masa për rimarrjen në përdorim të tokës publike, krijimin e një hapësire të nevojshme prej 4 m në të 2 krahët e kanalit kullues për të mos lejuar më fermerët të shfrytëzonin tokën aty ku nuk duhet përmbytur.

Menjëherë pas rimarrjes në pronësi të kësaj sipërfaqeje, që arrin në afro 10 ha, njësia administrative Zharrëz në bashkëpunim me Bankers do të mbjellin ekualipte, të cilat do të krijojnë një barrierë natyrale për të reduktuar zhurmat dhe pastruar ajrin gjithashtu.

Recommended