Report TV - Lezhë,shkëmbi zë mjetin,vdesin 2 vëllezër dhe gruaja shtatzënë

  • 6 years ago
LEZHE - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Torovicë-Malecaj në afërsi të Lezhës. Rënia e një shkëmbi nga lartësia e malit ka zënë poshtë një automjet tip fuoristradë që po kalonte aty dhe për pasojë tre persona nga fshati Balldre, anëtarë të të njëjtës familje, kanë humbur jetën. Dy nga viktimat janë vëllezër, Edmond dhe Valentin Zefi ndërsa viktima e tretë, Alda Gjergji, 21-vjeçe është bashkëshortja e njërit prej tyre. Ajo që e bën edhe më tragjike këtë ngjarje është se gruaja e cila humbi jetën ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Ajo po udhëtonte në shoqërinë e bashkëshortit dhe vëllait të tij në drejtim të prindërve të saj në një fshat aty pranë kur mbi automjetin e tyre ra një shkëmb i përmasave të mëdha.

Në vendin e ngjarjes, menjëherë pas ngjarjes mbërritën forca të shumta policie, autoambulanca nga spitali i Lezhës si dhe shërbimi zjarrfikës. Këta të fundit bënë të mundur edhe nxjerrjen e trupave të pajetë nga automjeti i zënë poshtë nga gurët. Asnjë prej viktimave nuk ka mundur të dalë nga makina në momentin e shkëputjes së shkëmbit, duke bërë që të humbin jetën tragjikisht mes gurëve. Reshjet e shiut të rëna gjatë paradites së kësaj të shtune kanë nxitur rënien e gurëve në këtë pjesë të rrezikshme të aksit Torovicë-Malecaj në Lezhë. Megjithatë do të jetë grupi hetimor që do saktësojë shkaqet e kësaj ngjarje tragjike.

Recommended