Tragjedia në Durrës, pamje nga vendgjarja

  • 6 years ago
Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Durrësit.

3 fëmijë (trinjakë), vetëm 3 - vjeç kanë humbur jetën, pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët.

Sipas një njoftimi paraprak të policisë, ngjarja e rëndë ndodhi në një shtëpi private në pronësi të Gëzim Konçit.

Zjarri mësohet se ka rënë rreth orës 17:30 dhe fëmijët kanë qenë të vetëm brenda në shtëpi.
Korrespondentja e Tv Klan në Durrës raporton se paraprakisht, nëna e fëmijëve dyshohet se kishte dalë për të blerë diçka në dyqan afër banesës dhe kur është kthyer e ka gjetur shtëpinë në flakë.

Ajo ka kërkuar ndihmën e fqinjëve dhe policisë, por pavarësisht ndërhyrjes kur janë futur në banesë, të miturit janë gjetur të asfiksuar.

Zjarri dyshohet se ka rënë në dhomën ku ndodheshin fëmijët.

Në një reagim paraprak për ngjarjen, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial tha se zjarri nuk ka lidhje me bombol gazi dhe fëmijët kanë qenë të mbyllur në dhomë, ndërsa dritarja ka qenë me hekura.

Sipas Inspektoratit, të miturit dyshohet se kanë qenë duke luajtur me shkrepse kur ka ndodhur ngjarja.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të saj./tvklan.al

Recommended