Grabitjet e Rinasit, arrestohet i gjashti. Kishte rol organizatori

  • 7 years ago
Dash Kupa, personi që duket në këtë foto është i arrestuari i gjashtë, i dyshuar si organizator dhe pjesëmarrës në grabitjet e transfertave bankave në Qafë Kashar.

41-vjeçari, banues në Krujë, pjesëtar i fisit Kupa u kap këtë të martë, në pikën e kalimit kufitar në Morinë teksa po hynte në Shqipëri nga Kosova.

Menjëherë pas ndalimit ai u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe të prokurorisë.

I arrestuari Kupa është një nga personat e dyshuar se ka përgatitur dhe realizuar aktivisht planin e grabitjes në të dy rastet. Ky është personi i dytë i fisit Kupa që arrestohet si pjesë e bandës. Në pranga ka rënë më herët edhe Ernest Kupa, me tre anëtarë të tjerë të grupit.

Në kërkim tashmë ka mbetur edhe Admir Murataj, i cili mendohet të jetë larguar jashtë vendit, ndërsa në këtë rrjet dyshohet se bëjnë pjesë edhe persona të tjerë.

Policia ka kryer kontrolle të shumta në zonën e Dibrës, Tiranës e Tropojës për arrestimin e të kërkuarit, Murataj, por ai nuk është gjetur. /TV KLAN

Recommended