Report TV - Beqaj: 17 mijë turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në gjithë vendin

  • 8 years ago
Plot 17 mijë turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në 25 Qendrat Shëndetësore të hapura në të gjithë vendin përgjatë sezonit turistik.

Kjo është pohuar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj gjatë një vizite pune të kryer në qendrat shëndetësore të Bashkisë së Himarës. Shërbim të shpejtë dhe të specializuar e ka cilësuar Beqaj hapjen e këtyre qendrave pranë zonave bregdetare.

?Praktikisht, në të gjithë vendin deri më sot kemi rreth 16-17 mijë raste që janë shërbyer. Vetëm në atë pjesë që mbulohet nga Qendra Shëndetësore e Bashkisë së Himares që fillon nga Palasa e shkon deri në Qeparo, madje ne ndonjëherë nuk arrijmë të masim kufijtë administrativë po shkojmë aty ku vjen thirrja, jemi në 1400 persona të shërbyer me vizita, me urgjenca dhe një numër më të vogël referimesh për në spital,? shprehet Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Sipas tij, këtë vit shërbimi është edhe më i plotë duke iu referuar këtu shtesës së bërë me mjekë dhe infermierë, rritjen e shumëllojshmërisë dhe numrit të barnave dhe materialeve mjekësore, por edhe të vetë qendrave shëndetësore duke shtuar ato edhe ne zonat malore.

?Kemi filluar këtë shërbim nga mesi i muajit qershor. Praktikisht, këtë vit, janë 25 qendra shëndetësore në bregdet dhe në zonat malore. Shtesë nga viti i mëparshëm kemi Kalanë e Dodës, Kelmendin dhe Prespën. Por sigurisht, edhe këtë vit, në të gjithë gjatësinë e bregut të jugut, ajo që mbulohet sot nga Bashkia e re e Himarës, kemi shërbim të shtuar me më shumë mjekë, më shumë infermierë, shërbim 24-orë?, u shpreh Ilir Beqaj.

Nga ana tjetër, mjekët kanë theksuar se çdo ditë përballen me 20-25 raste të vizitave dhe urgjencave, ndërsa rastet më të shumta kanë të bëjnë me gastroenteritet, infeksionet e ndryshme etj. Këtë vit rezulton që numri i turistëve që kanë marrë shërbim shëndetësor pranë këtyre Qendrave Shëndetësore të jetë disa herë më i madh se vitin e kaluar.

Recommended