Report TV - Reforma - Rama: I bëmë lëshime PD, fjala e plotë

  • 8 years ago
Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë konferencës për shtyp se Partia Demokratike i ka shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë foli për ofertën e fundit të mazhorancës, ndërsa la të kuptohej se PD s'do e pranojë as atë. Rama tha se mazhoranca i ka lënë në dorë PD-së që të bëjë ndryshime në paketën e reformës në drejtësi dhe pasi të ketë marrë miratimin e SHBA-BE, drafti të votohet në Kuvend.

"Po dëgjojmë që të flitet përçart. Unë kam bërë propozim të ri: Ne jemi gati të votojmë në 21 korrik çdo gjë që PD do fusë në draftin e reformës me kusht që të pranohet nga BE e SHBA për reformimin e drejtësisë për integrimin e vendit në BE. Ka më qartë e më shumë konsensus se kaq? Kam marrë raport për këtë; Kam qeshur, u dorëzova dhe nderi i Shqipërisë u vu në vend. Nuk dua të merrem me ta. Kam një SMS për qytetarët, për 4.4 milionë shqiptarët: Unë dhe bashkëpunëtorët e mi për reformën kemi bërë gjithçka që kemi në dorë për një reformë të thellë e çliruese dhe të miratohet bashkë me opozitën, kemi bërë lëshime, por pas këtyre, gjejmë ftesën për luftë kundër SHBA e BE. Kështu kuptohet kërkesa e sovranitetit për të përjashtuar partnerët nga reforma", u shpreh Rama.

Rama solli edhe njëherë tjetër në vëmendje se pa reformën në drejtësi Shqipëria humbet shansin për t'iu afruar Bashkimit Europian.

"Do humbasim të tjera vite, që nuk dihet sesa, për tu rikthyer në sytë e aleatëve një hap larg nga hapja e negociatave me BE. Sovranistët po thonë se Ç'na duhet ne BE? Pa këtë reformë, ne mund të mbetemi sovran brenda shtëpisë sonë, por s'kemi shans të hyjmë në BE. Pa ketë reformë, do mbetemi prapa derës së BE që ka frymëzuar rrëzimin e diktaturës. Duke e refuzuar këtë reformë, do kthehemi në një hije në mes të Europës, do jemi vend i sunduar nga frika e të korruptuarve dhe i nënshtruar nga pushteti sovran i korrupsionit. Nuk ka asnjë vend që është anëtarësuar në BE duke zgjedhur çfarë i pëlqen e çfarë jo. Kjo është një prej tyre, PD, nuk ka reformë drejtësie të zbatuar në vendet e reja të BE ku të jetë përdorur sovraniteti për të mbajtur ndërkombëtarët jashtë sistemit", tha Rama.

Për të dytën herë brenda javës kryeministri Edi Rama e fton në takim kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, për të diskutuar qëndrimet ndaj reformës. "E pres në takim që nga sot e deri në orën 10 të datës 21 Korrik. Numrin tim të telefonit e ka", tha Rama.

Recommended