Report TV - Asambleja Parlamentare e NATO-s në Tiranë, Majko: 700 pjesëmarrës

  • 8 years ago
Shqipëria do të presë pas dy javësh, për herë të parë, Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Deputeti socialistë dhe njëherazi kryetar i delegacionit shqiptar në NATO, Pandeli Majko tha se, "gjatë punimeve 3 ditore të Asamblesë, do të marrin pjesë 700 përfaqësues nga vendet e NATO-s, BE-së, OSBE-së e KiE-së".

"Shqipëria si vend i NATO-s do të mirëpresë Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Mbajtja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë është një cilësi e asaj që ka ndryshuar në statusin ndërkombëtar të Shqipërisë. Gjatë 3 ditëve të punimeve do të diskutohet për përballimin e sfidave të vështira të aleancës në të ardhmen. Është i pari takim i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në vendin tonë", u shpreh Majko.

Asambleja Parlamentare e NATO-s do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë, që prej anëtarësimit të vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut, në prill të vitit 2009. Punimet e saj do të zhvillohen nga data 27 deri në 29 maj.