Report TV - Ligji i ri për pronën, Manjani merr mbështetjen e Këshillit të Europës

  • 8 years ago
Ministri i Drejtësisë Ylli Majnani ka marrë mbështetjen e Këshillit të Europës për ligjin e ri për pronën, gjatë një takimi me Christos Giakoumopoulos, Drejtor për të Drejtat e Njeriut, në Drejtorinë e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të ligjit, pranë Këshillit të Europës.

Gjatë këtij takimi ndër të tjera Giakoumopoulos i ka shprehur sërish Manjani mbështetjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për ligjin e ri ?Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit te kompensimit? dhe inkurajon implementimin dhe vijimin e zbatimit të këtij ligji në vendin tonë, duke garantuar respektimin e një të drejte themelore siç është e drejta e pronësisë.

Në këtë kuadër Manjani ka bërë me dije se nga nisja e zbatimit të këtij ligji është shënuar një numër i madh qytetarësh të cilët kanë aplikuar sipas kritereve të parashikuara nga ky ligj i ri, ndërsa theksoi gjithashtu se ky ligj është zgjidhja më optimale në kushtet kur duhet parë me objektivitet edhe shmangia e faturës së lartë financiare që do të mbarte për vite me radhë pjesa tjetër e popullsisë.

Njëkohësisht gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mbi bashkëpunimin e deritanishëm me Këshillin e Europës, i cili e ka asistuar ndër vite sistemin e drejtësisë.

Ministri Manjani shprehu mirënjohjen për asistencën e ofruar përmes projektesh me mjaft impakt pozitiv, ndërsa Giakoumopoulos bëri me dije nisjen e një tjetër projekti të madh që do të lidhet me sistemin gjyqësor dhe që kryesisht pritet të adresoje një sërë çështjesh sikurse janë rritja e besimit të publikut në gjykata, efektiviteti i sistemit gjyqësor, etj.

Giakoumopoulos shprehu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e këtij projekti në bashkërendim të afërt me Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa çdo nevojë specifike nga ana e këtij institucioni do të ishte e mirëpritur dhe do të projektohet brenda këtij projekti.

Referuar disa nevojave specifike me të cilat përballet veçanërisht sistemi penitenciar në vendin tonë, Manjani ka vlerësuar mundësinë e mbështetjes se edukimit të të rinjve të privuar nga liria, apo ngritjen e një institucioni të veçantë për edukimin e të miturve në konflikt me ligjin, duke i shmangur ata nga vuajtja e dënimit të dhënë, përmes projekteve dhe institucioneve të edukimit, në mënyrë që integrimi në jetën përtej qelisë të jetë më i lehtë dhe ata të mund të rihyjnë në jetën sociale si profesionistë dhe jo si të burgosur.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në stadin aktual të refomës në drejtësi ku ndër të Ministri Manjani theksoi se në fazën e zbatimit të kësaj refome lind nevoja që të gjithë aktorët të jenë sa më të qartë dhe konkretë.

Recommended