Report TV - Ndotja nga nafta, alarmohen banorët në Mërtinaj të Vlorës, duan ndërhyrje

  • 8 years ago
Zona naftënxjerrëse e Gorishtit ku përmbledh disa fshatra të njësisë administrative Vllahinë të bashkisë Selenicë, prej disa vitesh është e rrezikuar nga ndotja që shkaktojnë puset e naftës në këtë zonë.

Më e prekur është zona e fshatit Mërtiraj ku banorët e këtij fshati ankohen për sëmundje vdekjeprurëse si pasojë e gazrave në ajër që çlirojnë puset e naftës si dhe ujrat e ndotur që dalin nga nëntoka, të cilat dhe ato janë shumë të ndotura.

Banorët e këtyre fshatrave ankohen se kompania e cila shfrytëzon nëntokën e kësaj zonë nuk ka marrë asnjë masë dhe më e keqja është se gazrat e nëntokës çlirohen në ajër, çka do të thotë dëmtim të organeve jetësore.

Po ashtu dhe uji i cili del nga toka, duhet të përpunohet, por ai ashtu siç del nga nëntoka me helme ashtu mbush kanalet kulluese, ku shpesh herë bagëtitë të cilat pinë ujë në këto kanale kanë ngordhur dhe për më tepër uji i ndotur derdhet në lumin Vjosë nëpërmjet përrenjve.

Një nga punonjësit e kësaj kompanie, Dilo Xheliaj për Report Tv u shpreh se, është papërgjegjshmëria e punonjësve të cilët nuk marrin masat e duhura për ujin që del nga nëntoka, por e lënë të rrjedhë i lire.

Një nga banorët e fshatit tregon, se në afërsi të banesës së tij ndodhet një pus nafte, i cili është mbyllur, por gazi nëntokësor del në orët e mbrëmjes, duke shkatërruar shëndetin e të gjithë familjes, si të atij vetë, por dhe të fëmijëve të tij me sëmundje të rënda.

Kryetari i fshatit Mërtiraj, Klodjan Ruci i cili një ditë më parë bëri publike këtë katastrofë ekologjike, thotë se, kjo zonë është tejet e kontaminuar si nga ajri ashtu dhe nga toka.

Ai ngre shqetësim për këtë gjendje alarmante, pasi nuk është interesuar askush për këta banorë të cilët nuk kalojnë moshën 60 vjeçare nga ndotja që ka në këtë zonë.

Recommended