Report TV - Biznesi i vogël protestë për rritjen e taksave: Falimentim!
  • 8 years ago
TIRANE - Tregtarët e biznesit të vogël në Tiranë kanë protestuar sërish para bashkisë kundër rritjes së taksave dhe tarifave vendore. Tregtarët e cilësojnë të padrejtë vendimin, ndërsa shtojnë se rritja e taksave për hapësirën publike po i dërgon drejt falimentimit, pasi është e pamundur që të paguajnë rritjen e miratuar në vendimin e 30 Dhjetorit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

?Nuk jemi mbledhur sot për interesa politike, kërkesat tona dhe protesta janë qytetare. Vendimi për 10-fishimin e taksave dhe tarifave është nul, pasi së pari nuk është konsultuar dhe së dyti është miratuar në shkelje të ligjit, pasi ne njoftohemi vetëm në fund të muajit Shkurt për një vendim që është miratuar në mbledhjen e fundit të 2015 dhe tashmë na kërkohen dy muaj. Ju lutem na lini të punojmë në djersën tonë, pasi në Shqipëri taksat janë si në Amerikë, shërbimet si në Afrikë. Do të vazhdojmë që të protestojmë, pasi po falimentojmë nuk kemi mundësi që vazhdojmë në këtë mënyrë, jemi të detyruar që ta mbyllim biznesin?, - shprehen ata.

Mjaft i ashpër ka qenë përfaqësuesi i biznesmenëve Nikollaq Neranxi me Bashkinë e Tiranës por edhe me pushtetin qendror. Neranxi i cilëson taksat e larta si gjoba, ndërsa bashkinë dhe pushtetin qendror, si gjobëvënës.

"Duhet t'i quajmë supergjoba. Kjo do të thotë që këta dinë të vënë gjoba, dhe e dini kush vënë gjoba? Gjobvënësit. Ne jemi këtu për ti thënë që biznesin tonë nuk na e merrni dot. Paraja për mua nuk është asgjë, duhet të kesh vizion, dashuri për vendin, për atdheun, këta nuk e kanë këtë gjë. Prandaj ne nuk mund të na e marrin biznesin, sepse ata edhe po të na vrasin ne edhe po të na shkatërrojnë, ata nuk mund të na mposhtin, kjo është fitorja jonë. Unë bëj thirrje Erjonit ktheni mbrapa supergjobat, supertaksat se për ndryshe do të ketë pasoja të rënda", tha ai.