Vithkuq-Dardhë, turizëm me rrugë pa rrugë - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Fshatrat Dardhë e Vithkuq, bashkë me Voskopojën janë padyshim më të kërkuarit nga vizitorët vendas dhe të huaj që preferojnë Korçën për pushimet e fundjavës apo edhe më shumë se kaq. Por ndërsa natyra ka ofruar më të mirën e saj për këto zona, rruga për të shkuar deri atje është një torturë e vërtetë. Të kontaktuar nga Vizion Plus, specialistë të drejtorisë së Rrugëve Rurale thanë se në mungesë të fondeve në këtë aks nuk është investuar asnjëherë, ndërkohë që pjesa më problematike është Ura e Floqit -- Vithkuq. Banorët që jetojnë në Vithkuq, thonë se të nisesh për të shkuar në këtë fshat, duhet të llogarisësh edhe dëmet e mëdha të makinës. Thuajse e njëjta situata sa i takon rrugës edhe për në fshatin turistik të Dardhës. Shumica e vizitorëve që shkojnë në Dardhë, i lënë makinat në hyrje të fshatit dhe pjesën tjetër e bëjnë në këmbë. Ndër të paktët që e ngjit makinën lart është Klementi nga Durrësi, por që thotë se herë tjetër nuk do të guxojë të bëjë aventurë me makinën. Zyrtarët e komunës së Drenovës që administron këtë rrugë të fshatit Dardhë jashtë kameras thonë se kanë prej dy vjetësh një projekt për rikonstruksionin e rrugës, por presin donatorët. 4 vite më parë, rruga drejt Dardhës u shtrua me kalldrëm për të ruajtur rrugët karakteristike të fshatit, por punimet nuk u kryen siç duhet dhe situata është kjo që shihet nga pamjet, që nuk kanë nevojë për koment.