Rama në Vlorë: Abuzime me legalizimet - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Abuzimet me procesin e legalizimeve më shumë se kudo janë bërë në zonat bregdetare. Për kryeministrin Rama ajo që ka ndodhur me ndërtimet në bregdetin e Vlorës, ku janë legalizuar godina që e kanë shkatërruar këtë qytet janë një faqe e turpshme e një pushteti të deridjeshëm korruptiv."Është bërë një abuzim i tmerrshëm nga ana e strukturave të ALUIZNI-t të deridjeshëm, duke legalizuar vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Janë legalizuar godina në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime. Kjo është realisht një faqe e turpshme e një pushteti që kudo ku mundi rrënoi për të përfituar dhe përfitoi duke rrënuar",Por kreu i qeverisë u shpreh qartë se tashmë kjo gjë nuk mund të ndodh më. Nuk do të ketë më ngritje godinash pa leje, ka thënë Rama, pasi në të kundërt do të ndiqet penalisht."Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku "gjej një shesh e bëj një përshesh".Edhe për kreun e ALUIZNI-t, Artan lame pjesa më e madhe e legalizimeve është bërë në bregdet , pikërisht aty ku nuk duhej legalizuar. "Ky 12 % nuk është në këto zona, nuk është në zonën e "Fushës së Aviacionit". Në këtë 12 % janë pallate në Sarandë, objekte në Parkun Kombëtar të Butrintit, objekte në bregdet e kështu me radhë. Kjo e shpjegon faktin pse Vlora ka më shumë legalizime"Duke folur për procesin e legalizimit falas, Kryeministri sqaroi se krahas procesit falas për procedurat, apo dokumentacionin, do të jetë falas edhe pjesa që ka të bëjë me penalitetet, pasi shumë penalitete të vendosura për familjet tashmë janë hequr. Kreu i qeverisë ka shpërndarë edhe në qytetin e Vlorës tituj e pronësisë falas, për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje.

Recommended