Pika turistike e Dardhës, me dëborë e bukuri - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në këtë sezon të vitit, njerëzit preferojnë të frekuentojnë destinacionet e bardha. Dardha me dëborë është një prej vendeve turistike, i cili është njohur disi vonë prej turisteve vendas e të huaj, por që vizitohet tanimë, në çdo periudhë të vitit. Klubi i Kampistëve "Discover Albania", i kontaktuar nëpërmjet facebook-ut, nuk nguroi që të bënte edhe grupin tonë të xhirimit, pjesë të kësaj aventure.Dëbora ka mbuluar gjithçka në fshatin turistik. Megjithatë të gjithë kujdesen që në kalldrëmet e rrugicat e fshatit, për shkak të ngricës të mos pësojnë ndonjë rrëshqitje e të dëmtohen.Fundjava kalohet duke luajtur me dëborë, duke parë vende të reja, e duke u magjepsur me peizazhin piktoresk që Dardha ofron. Edhe fëmijët janë pjesë e kësaj aventure të bukur. Rajani është 2-vjeçari kurajoz që i bëri ballë temperaturave që shënuan -4 gradë celsius. Për Aldi Karajn kjo nuk është hera e parë që vjen në Dardhë, por çdo herë ka një domethënie tjetër për të, i pëlqen më shumë turizmi malor shqiptar se ai jashtë kufijve, ku alternativat dhe paketat turistike nuk mungojnë.Dardha preferohet për një serë arsyesh: thuhet se ishte një prej fshatrave më të kamur, për shkak se shumica e dardharëve ishin emigrant në Amerikë, element tjetër i mirëqenies së një fshati janë edhe kalldrëmet e shtruara. Mikpritja gjithashtu zë një vend të rëndësishëm në traditën e këtij fshati, në çdo rrugicë ka kroje e burime uji, të projektuara enkas për ata që vinin të vizitonin Dardhën. Peizazhi, lakrori tradicional, e mundësia për të skijuar e bëjnë Dardhën të veçantë.Për të gjithë ata që thonë me ngulm se nuk ka një pistë skish në Shqipëri, e që për të ushtruar këtë sport shkojnë jashtë kufijve, në ju themi se ekziston në fshatin turistik të Dardhës, një pistë modeste por funksionale. Patëm fatin që midis instruktorëve të skive të takonim dhe Marina Tashon, kampionen e këtij sporti. Vizitorë vendas dhe të huaj, të gjithë janë kureshtarë të zbulojnë magjinë e Dardhës. Radhitur si një nga destinacionet më të bukura të turizmit malor, ajo është pritëse e përcjellëse e një numri të madh njerëzish, vlerësues të bukurisë së saj.

Recommended