Lagështira dëmton kalanë Gjirokastër - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Lagështia mbetet një nga problemet kryesore të degradimit të monumenteve, ndërsa në Gjirokastër ajo evidentohet më shumë në monumentin kryesor të saj, kështjellën. Sipërfaqe të tëra të harqeve të gurtë janë përfshirë nga lagështia, ndërsa vonesa në investime ka bërë që në rrezik të jenë harqet në anën jugore të saj, pasi gjithë çka bie jashtë, hyn brenda. Dëmtimi në vite i pllakave që kanë shërbyer për hidroizolimin e saj ka bërë që lagështia të depërtojë lehtësisht, duke mbushur me ujë në disa raste edhe bodrumet e saj, sidomos kur intensiteti i reshjeve është i madh. Në anën veriore të kalasë në një nga kthinat e saj lagështia ka rrëzuar një pjesë harku të një dritareje, ndërkohë që lagështia i ka dhënë jetë bimësisë, një armik tjetër ky që e dobëson ndjeshëm rezistencën e monumenteve. Reshat Gega, Specialist i Monumenteve pohon se duhen investime të menjëhershme dhe një grup mirëmbajtësish. Investimi i fundit restaurues kundra lagështirës në Kala është bërë në vitin 2006 në pjesën e muzeut të armeve. Kalaja e Gjirokastrës është e ndërtuar në shekullin e pestë pas Krishtit në kohën e perandorit Justinian. Kulmi i jetesës në të shtrihet nga shekulli i dhjetë deri ne pushtimin otoman, kur qendra urbane u zhvendos nga qytetërimi i Kardhiqit drejt Gjirokastrës. Sundimtarë më të njohur të saj janë Gjin Bue Shpata, Gjin Zenebishti dhe Ali Pashë Tepelena. Në ndërtimin e kalasë kanë kontribuar edhe Ali Pashë Tepelena por edhe Ahmet Zogu në kohën kur u ndërtua burgu i qytetit brenda kalasë.