Fier, sërish protesta ndaj "Bankers" - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas protestave të banorëve të fshatrave Zharrëz-Marinëz për dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre, kundër kompanisë naftënxjerrëse "Bankers", kanë protestuar në mesditën e sotme edhe banorët  e fshatit  Kallm, komuna Mbrostar, Fier. Ata  bllokuan akset rrugore që lidhin fshatin e tyre me zonat e tjera, përfshirë dhe me rrugën kombëtare Fier- Lushnjë.  Banorët pretendojnë se janë izoluar për shkak të shkatërrimit të rrugës nga kalimi i  mjeteve të rënda të kompanive që janë nënkontraktore me "Bankers", ndërsa kanë kërkuar edhe  ndalimin e shpërthimeve nëntokësore në zonën e tyre. Kreu i komunës Mbrostar, Gëzim Dhima pohoi se është në mbështetje të banorëve. Ai tha se  rrugët janë shkatërruar nga mjetet e rënda pasi ato nuk janë ndërtuar me parametra të tillë për të përballuar kalimin e këtyre mjeteve. Nga ana tjetër, ai kërkoi gjithashtu që kompania e naftës "Bankers", të mos shkatërrojë pronat e shtëpitë e banoreve me operacionet nëntokësore. Kjo është protesta e dytë e banorëve të fshatit Kallm kundër kompanisë "Bankers". Para disa muajsh, ata bllokuan rrugët dhe mjetet e rënda të transportit të naftës bruto në zonën e tyre. E gjithë zona naftëmbajtëse e Zharrëz-Marinëz dhe Kallm, është përfshirë në këto ditë në protesta masive e bllokim rrugësh deri dhe grevë urie ndaj dëmeve të shkaktuara nga  lëkundjet e tokës, që sipas tyre ndodh prej shpërthimeve nëntokësore nga kompania e naftës "Bankers". Dy ditë më parë ministria e Energjetikës pezulloi aktivitetin e një kompanie nënkontraktore të "Bankers" që merrej me operacionin e pastrimit të puseve nëntokësore. Ndërkohë, pritet vendosja e pesë aparateve matës sizmografikë, për të përcaktuar natyrën e këtyre lëkundjeve të tokës.

Recommended