A1 Report - Informaliteti, Vjero: Në vetëm 3 ditë u regjistruan 2500 biznese

  • 9 years ago
TIRANË - Drejtoresha e Qendrës Kombëtarë të Regjistrimit Vasilika Vjero i bëri apel bizneseve që të regjistrohen duke theksuar se QKR qëndron e hapur çdo ditë me orë të zgjatura. Në një deklaratë për mediat, Vjero tha se aksioni kundër informalitetit do të mundësojë më shumë të ardhura e rrjedhimisht më shumë mundësi për investime publike dhe ulje taksash.

"Shumë prej qytetarëve na kanë kërkuar të shtojmë sportelet. Jemi para një situate që nuk jemi ndeshur herë tjetër. I kërkojmë biznesit të na kuptojë. Përveç regjistrimit në sportel, ekziston edhe regjistrimi online, pa kosto. Apeli ynë, regjistrohuni, pajisuni me kasa dhe lëshoni kuponin tatimor?, - tha Drejtoresha e QKR¬-së.

Ajo tha se në 9 mujorin e parë të 2015-ës janë regjistruar më shumë se 18 mijë biznese ku foli për një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Në korrik-shtator 2015 janë regjistruar 9152 biznese, ose 3 herë më shume se në 2014

Në gusht janë regjistruar 4800 biznese, ose 8 herë me shumë se në gusht të 2014

Në vetëm tre ditët e para të shtatorit, tha drejtoresha e QKR ka pasur një fluks në rritje të regjistrimeve me 2500 të tillë. Kjo shifër sipas saj është dyfish më e lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Po ashtu, tha Vjero, prezenca e kompanive të huaja që veprojnë në Shqipëri është rritur me 19 %.