Kaos në tregjet e vendit, nuk respektohen masat kundër Kovid-19

  • 4 years ago
Organizatorët e tregjeve duhet të mbajnë më shumë rend, t?i dezinfektojnë tregjet rregullisht dhe të shpërndajnë maska falas, kërkoi Oda e Tregtarëve. Sipas tyre, të gjitha tregjet në vend janë në gjendje katastrofike dhe pa kushte elementare higjienike. Ata shtojnë se qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mbajnë maskë mbrojtëse kur hyjnë në treg, dhe kur të blejnë, të mos i prekin pemët dhe perimet.

E dimë se tregjet janë vatra potenciale për infektime të këtilla. Nuk do të ishte keq, sepse vetëm një herë në Bit Pazar dhe në vendet e tjera kanë ndarë maska falas edhe atë nga MPB-ja. Kërkojmë që këtë ta bëjnë organizatorët në tregjet, sepse ata marrin para nga qiratë nga ata njerëz, edhe ata duhet të jenë pjesë e ekipit, që do të kujdeset për shëndetin e njerëzve, por edhe për konsumatorët - deklaroi Ekrem Dolek - Kryetar i Odës së Tregtarëve.

Alsat vizitoi disa nga tregjet në Shkup dhe Tetovë. Fotografia tregon se ende një pjesë e mirë e shitësve, por edhe blerësit, nuk mbajnë maska mbrojtëse. Në asnjë nga tregjet e vizituara nuk kishte ndonjë mjet për dezinfektimin e hyrjeve. Qytetarët thonë se masat nuk respektohen.

"Kot është maska, gjithçka është e kotë, njerëzit mblidhen në një vend nga 100 vetë, mendoj se rregullat respektohen dobët".

"Shitësit mbajnë të gjithë, por klientët rrallë".

"Jo të gjithë i mbajnë dhe ata që i mbajnë, i kanë në qafë e jo në fytyrë".

Vetëm në Tregun e Gjelbër ishte vendosur shërbim i mbajtjes së rendit, i ngarkuar për kontrollin se kush hyn në treg dhe mban maskë. Por, ky treg ka më shumë se një hyrje, kështu që është pothuajse e pamundur që mbajtësi i rendit të kontrollojë numrin aq të madh të qytetarëve që e vizitojnë atë. Sipas protokollit për hyrjen në treg, është e domosdoshme të mbahet maskë, por edhe të ketë shërbim të mbajtjes së rendit, që është e angazhuar të kujdeset për respektimin e masave.

Andrea Çobanova

Recommended