Rama: Meta duhet te lere zyren

  • 5 years ago
Edi Rama e quan nul vendimin e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Për të, Ilir Meta  nuk ka më asnjë arsye të vazhdojë të qëndrojë në këtë post. Por në fjalimin e tij elektoral në Mat, Kryeministri nuk flet qartë nëse mazhoranca do të ndërmarrë hapa për shkarkimin e kreut të shtetit.

"Dje papritur për shumëkënd por krejtësisht sipas parashikimeve tona dhe të mia, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur në rrugë as më shumë as më pak por Presidenti i Republikës, duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, dhe moralisht është turp si s'ka më turp. Dhe mos u çudisni nëse ju them nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s'keni parë asgjë akoma, nuk është çmenduria e fundit por do ketë edhe të tjera. Kushtetuta e Republikës nuk është filxhan që rrotullohet. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij si një President që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Udhëheqësit e "Rama ik" do ikin vetë një e nga një".

Ajo që artikulon qartë është se data kur shqiptarët do t'i drejtohen kutive të votimit mbetet për të e pandryshueshme.

"Do apo s'do Saliu, do apo s'do Iliri, do apo s'do Lulzimi, do apo s'do filxhani, zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor".

Ajo që bashkoi Presidentin me opozitën, sipas Kryeministri është ?armiku i tyre? i përbashkët, reforma në drejtësi.

"Lufta e tyre nuk bëhet për zgjedhjet, por për të varrosur reformën në drejtësi. Të gjitha këto që do dëgjoni janë për të vazhduar për të tërhequr për hunde këdo që besojnë ata".

Rama paralajmeron të tjera hapa të unifikuar të Presidentit dhe opozitës.

"Ja ku e nxorrën kokën mbrëmë, por prisni se kanë nxjerrë vetëm ballin. Nuk e kanë me mua ata. Po unë jam pengesa midis jush dhe atyre. Zgjedhjet e 30 Qershorit me mbështetjen tuaj do të jenë momenti i fillimit të fundit të tyre politik".

Për të treguar hendekun që sipas tij qëndron mes dy palëve, sjell si shembull  gabimet gjatë dy qeverisjeve të tij dhe demokratëve.

Duke prezantuar kandidatin për Bashkinë e Matit përsërit se Agron Malaj, ish-Gardisti i 21 Janarit, nuk ka qenë pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan mbi protestuesit.

Recommended