Artistet nga Kosova priten me protesta ne Serbi

  • 5 years ago
Qendra për Dekontaminimin Kulturor në kryeqytetin serb ka mysafirë artistët nga Kosova. Dekontaminimi duket i vështirë pasi përveç artistëve aty si gjithmonë arrijnë ata që e kundërshtojnë dhe e quajnë ofendim. Grupet radikale protestojnë duke thënë se Kosova është Serbi dhe se kultura kosovare nuk ekziston.

Gjithçka atje atyre u duket serbe. Kundër shqiptarëve thonë se nuk kanë asgjë, por kanë kundër terroristëve dhe ekstremistëve. Përfaqësuesja e tyre politike sqaron se çfarë është kontestuese dhe tradhëti në këtë festival.

"Nuk e lejojmë në Beograd propagandën e Shqipërisë së Madhe. Shumica prej nesh në Serbi janë kundër dhe kjo na ofendon. Mund të kemi kulturën e Shqipërisë, por jo atë të Kosovës".

Policia ka bllokuar lagjen 'Sllavia' dhe nuk i lejon të afërohen, por protestuesit thonë se nuk largohen.

Pak metra tutje në oborrin e qendrës kulturore, që prej tri dekadash promovon programe alternative, shqiptarë e serbë janë mbledhur për ta hapur festivalin e 6-të. Në nderim të aktorit Bekim Fehmiu dhe kësaj radhe edhe të profesorit të arteve nga Beogradi, Petrit Imami, që ndërroi jetë këtë ditë.

Kushtrim Koliqi është organizatori nga Kosova. Në efektet e festivalit beson, por thotë se marrëdhëniet tani janë vërtetë toksike.

Festivali do të ketë disa filma, debate dhe prezantime, një pjesë prej të cilave për temë kanë luftën. Pasojat e saj pavarësisht se kanë kaluar dy dekada, ngelen në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ashtu siç janë edhe pjesë e dy botëve të ndara të festivalit.

Tv Klan

Recommended