Komisioni Europian vlereson progresin e Reformes ne Drejtesi
  • 5 years ago
Takimi i nënkomisionit të 11-të mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë BE-Shqipëri ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian.  Komisioni përgëzon autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre dhe progresin e qëndrueshëm të arritur në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht në fushën e reformës së drejtësi dhe procesit të Vettingut.

Ekzekutivi europian konsideron, se reforma në drejtësi dhe Vettingu ka hedhur themelet për të konsoliduar një gjyqësor të vërtetë, të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm. Por në konkluzione kërkohet qartazi konsolidimi i mëtejshëm i sistemit përmes luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar.

Komisioni Europian njeh rezultatet e prekshme të arritura në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe thekson rëndësinë e finalizimit të themelimit të Prokurorisë së Specializuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Në konkluzione nënvizohet, se është kyçe që operacionet e suksesshme të policisë të ndiqen nga hetime, aktakuza dhe dënimet përfundimtare.

Lidhur me të drejtat themelore kërkohen përpjekje të mëtejshme për zbatimin efektiv të legjislacionit përkatës, duke përfshirë miratimin e legjislacionit të nevojshëm dytësor edhe në fushën e mbrojtjes së pakicave. Komisioni Europian vendos një theks të veçantë te nevoja për një reformë gjithëpërfshirëse të të drejtave të pronës në Shqipëri. Edhe pse në 2018 kërkesat e pabazuara të azilit të shtetasve shqiptarë në vendet anëtare të BE kanë shënuar rënie krahasuar me 2017, kërkohet vazhdimi i përpjekjeve konkrete për të adresuar këtë fenomen, si dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit të ?Moneyval? mbi financimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër-terrorizmit.

Takimi u bashkëkryesua nga Michela Matuella, shefe e njësisë për Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinë në drejtorinë e përgjithshme për politikat e fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit të Komisionit Evropian dhe  Sokol Dedja, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Tv Klan