Mbyllen votimet në Tuz

  • 5 years ago
Për të parën herë pas 62 vitesh, në Tuz zhvillohen zgjedhjet lokale. Prej 1 Shtatorit 2018, Tuzi funksionon si njësi administrative lokale më vete, pas shkëputjes nga Podgorica. Votimi nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orën 19:00. Nik Gjeloshaj, kandidati i përbashkët i partive shqiptare, ishte ndër të parët që iu drejtua kutive të votimit.

"Një apel të madh për të gjithë votuesit që të dalin në mënyrë masive të votojnë, të shfrytëzojnë rastin të jenë pjesë e këtij vendimi historik. Mendoj që të gjitha këto që po ndodhin nuk mund të ndalin këtë proces, fitoren e koalicionit që përfaqësoj unë".

Gjeloshaj është kandidat i përbashkët i tre partive shqiptare; Alternativa, Lidhja Demokratike dhe Unioni Demokratik Shqiptar, të cilat për të parën herë garojnë në një koalicion të vetëm. Ata kanë përballë 4 grupime të tjera politike, mes të cilëve edhe Partinë Demokratike e Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.

Në mbështetje koalicionit shqiptar që ka si slogan ?Malësia na thërret?, erdhën edhe shumë shqiptarë nga diaspora. Komuniteti shqiptar është më i madhi në këtë zonë. Votuesit zgjedhin listat partiake për 32 anëtarët e këshillit komunal. Do të jenë këta të fundit që do të zgjedhin më pas kreun e ri të komunës. Sondazhet parashikojnë një fitore me 45% të partive shqiptare. Krijimi i komunës së Tuzit është kryesisht fitorja e parë e banorëve shqiptarë që përbëjnë 70% të popullsisë dhe që e kërkonin këtë prej 3 dekadash.

Recommended