MIE: Ligji per rezerven kombetare te naftes nuk rrit cmimin

  • 5 years ago
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mohon se nisma e saj për krijimin dhe menaxhimin e rezervës së detyrueshme të naftës, do të shtojë kostot për tregtarët e karburanteve duke u reflektuar edhe në një rritje të çmimit. Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, sqaron në një intervistë për televizionin Klan, se nëse tregtarët do të rritin çmimin duke përdorur këtë argument, atëherë ky do të jetë një abuzim.

Ilir Bejtja thotë se prej vitesh grosistët e naftës kanë detyrimin që të mbajnë rezervën e kësaj lënde për 90 ditë, e cila aktualisht është llogaritur në strukturën e çmimit të shitjes për qytetarët. Janë 320 milionë dollarë në vit që kjo industri duhet të ketë sasi nafte për rezervën kombëtare. Ai thotë se ligji i ri në fakt do të shkurtojë kostot me 15%, pasi gjysma e sasisë që do të mbahet është naftë e papërpunuar.

Pyetjes nëse tregtarët nuk e kanë respektuar mbajtjen e rezervës së sigurisë kombëtare dhe tashmë ligji do të krijojë kosto të reja, Ilir Bjetja i përgjigjet kështu: ?Nëse e kanë bërë këtë duhet të shkojnë për ndjekje penale, kanë shkelur rregullat e sigurisë kombëtare??

Ligji i ri vjen si një detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, dhe ligjit për shërbimin publik. Drafti parashikon ngritjen e një agjencie e cila do të krijojë dhe menaxhojë rezervën kombëtare, ku për këtë qëllim tregtarët do të paguajnë edhe një tarifë në momentin që paguajnë akcizën e naftës. Shoqata e Hidrokarbureve tha një ditë më parë se çdo kosto e re do të shkojë te çmimi i naftës që u shitet konsumatorëve.

Tv Klan

Recommended