Basha prezanton programin ekonomik

  • 5 years ago
Lulzim Basha prezantoi përpara shoqatave të biznesit dhe sipërmarrësve katër shtyllat e programit ekonomik të Partisë Demokratike, përmes të cilave tha se synohet dalja e vendit nga kriza e trefishtë ku e ka futur qeveria.

"Për biznesin e vogël, brenda 100 ditëve të para, do të realizohet rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 14 milionë lekë ose 140 mijë dollarë. Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga rreth 24% në 18% për të vetëpunësuarit, ndërsa për të punesuarit 9%".

Por biznesi i kërkoi prova besimi dhe e ftoi Lulzim Bashën që hapin e parë për këtë bashkëpunim ta nisë që tani në opozitë, duke përdorur të gjithë instrumentat parlamentarë.

"Ne ende nuk e shohim opozitën si alternativë mbështetëse të propozimeve tona".

"Nëse opozita tregohet e gatshme që këto nisma të lancohen edhe tani në Parlament, kjo është një ndër provat e forta".

Prezantimin e platformës ekonomike, Lulzim Basha e ndau edhe me përfaqësues të biznesit dhe qytetarë të Durrësit , ku vijoi akuzat ndaj kryebashkiakut Dako përpara zyrës së këtij të fundit.

"Prokuroria ta arrestojë, përndryshe do ja verë prangat populli".