Shoqatat e biznesit: Dividenti te ulet edhe me shume
  • 5 years ago
Kthimi për rishqyrtim në kuvend i ligjit për tatimin mbi të ardhurat nga Presidenti, kundërshtohet nga bizneset dhe shoqatat e tregtisë. Një ditë më parë presidenti Meta refuzoi të dekretojë uljen e taksës së dividentit nga 15% në 8, një dividend që nuk është tërhequr në vitin 2017-ë, ku norma e tatimit ishte 15% dhe tërhiqet nga kompanitë në 2019-n, me ligjin e ri paguan 8%. Kjo konsiderohet si nisëm me efekte prapavepruese nga ana e institucionit të Presidentit.

Bujar Bendo, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Këshillin Tatimor, sjell në kujtesë një tjetër moment kur tatimi i dividentit është mbledhur me normë 15%, kur është realizuar në vitet kur norma ishte 10%, periudhë kur Presidenti ishte kryetar i kuvendit të Shqipërisë.

Shifra e tatimit të pandërshpërndarë të biznesit, i cili njihet ndryshe me fjalën divident, gjatë 3 viteve të fundit ka arritur sa 2/3 e buxhetit të shtetit, 3.93 miliardë Dollarë. Konfindustria është e shqetësuar se të gjitha këto para nuk investohen në ekonomi, por mbahen të mbyllura në bilancet e firmave. Kjo për Gjergj Buxhukun ngadalëson zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Për të nuk ka kuptim që Shqipëria të ketë tatim mbi dividentin, ai duhet të jetë 0 për tregjet e hapura dhe për dividentin që riinvestohet, model të cilin përdor dhe rajoni dhe e bën vendin tonë më pak konkurrues.

Për Dhomën e Tregtisë taksa e dividentit rëndon vetëm individin dhe është tatim i dyfishtë, pasi kompania paguan njëherë tatim ? fitimin 15%, e duhet të paguajë dhe sërish 15% në momentin që e tërheq fitimin.

Parlamenti e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës duke lënë në fuqi normën 8% për dividentin, por bizneset kërkojnë që qeveria ta bëjë zero tatimin për paratë që riinvestohen dhe për tregjet e hapura në konkurrencë të lirë, kërkesë që është mbështetur edhe nga deputetët që janë antarë të Komisionit të Ekonomisë. Sipërmarrësit kërkojnë që ligjet e taksave të mos ngatërrohen me politikën, si në këtë rast, por të mendohen se si mund të ndihmojnë dhe zhvillojnë ekonominë kombëtare.

Tv Klan
Recommended