Bizneset: Hiqni traun e doganes per mallrat e Kosoves dhe Shqiperise

  • 5 years ago
Edhe pse shkëmbimet Shqipëri-Kosovë kanë njohur rritje gjatë muajit të fundit për shkak të taksimit nga ana e Prishtinës zyrtare të produkteve serbe e boshnjake me 100% të vlerës, bizneset e të dyja vendeve kërkojnë shkurtim të procedurave. Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rugiçi kërkoi në një takim me Drejtorinë e Doganave Shqiptare nisma konkrete dhe jo fjalë.

Kreu i Dhomës së Tregtisë në Shqipëri shkoi dhe më larg kur tha se ka barriera të mëdha tarifore edhe brenda shërbimeve që duhet të ishin pa pagesë. Përveç këtyre, Nikolin Jaka përmendi edhe shumë shërbime të tjera si ajo e skanimit, apo shkarkimit të konteniereve në port, që janë dhënë me koncesion, por që kanë tarifa disa herë më të larta se në portet e tjera të rajonit.

Bizneset morën një premtim nga ana e administratës së doganave: prej Janarit të 2019-s do të realizohet nënshkrimi elektronik, i cili do të heqë shumë barriera për importin dhe eksportin, ndërsa po punohet që skanimi i mallrave të bëhet me përzgjedhje risku dhe jo për çdo kontenier.

Për muajin Nëntor, eksportet shqiptare drejt Kosovës u rritën me 40%, duke u përkthyer në një shifër prej 7 milionë eurosh më shumë se një vit më parë. Produktet e para që po zëvendësojnë mallrat serbe janë mielli dhe materialet e ndërtimit.

Tv Klan

Recommended