Perplasja Rama–Meta, nje “loje shahu”

  • 6 years ago
Mosdekretimi i Ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshi nga Presidenti Ilir Meta, përveç krijimit të precedentit, duket se është pikënisja e një konflikti të radhës mes dy institucioneve më të rëndësishme në vend, ku secila palë mund t?i kthejë reston tjetrës.

Një lojë shahu. Ashtu siç e perifrazoi edhe Kryeministri Edi Rama në mesazhin dërguar deputetëve të tij ku u kërkoi heshtje për këtë vendim të presidentit, ku njëherë bie një ushtar nga njëra anë dhe njëherë nga ana tjetër. Mbështetur në kushtetutë ose jo, se ku u bazua kreu i shtetit në këtë vendim do të jetë vetë Presidenca që do ta zbardhë, por ajo që kreu i qeverisë duket se ka parasysh me lojën e shahut është kthimi me të njëjtën mënyre i propozimeve që dalin nga institucioni i Presidentit te Republikës.

Dhe testi i parë, do të jetë pikërisht zgjedhja e kreut të KLSH, pasi drejtuesit aktual Bujar Leskaj i mbaron mandati 7-vjeçar në fund të muajit të ardhshëm.  Kandidatura për kreun e institucionit shumë të lakmuar të KLSH-së, propozohet nga Presidenti dhe miratohet nga Parlamenti. Burime jozyrtare, sugjerojnë që ka pasur përpjekje mes palëve për të rakorduar paraprakisht në emrin e kreut të ri të KLSH-së, por që me sa duket akordi nuk është arritur, ç?ka u reflektua edhe ne rrëzimin e kandidaturës së këshilltarit të Ramës për postin e Ministrit te Brendshëm. I nxitur nga ky fakt ose jo, gjithsesi Presidenti i Republikës e ka për detyrë të shpjegojë publikisht dhe zyrtarisht arsyen e mos dekretimit të Lleshit. Ashtu siç duhet të presim edhe kur të vijë koha, edhe për vendimin që mazhoranca parlamentare do të mbajë pas propozimit të Presidentit Meta për kreun e KLSH. Për tu parë është edhe qëndrimi i Kryeministrit Rama në lidhje me kreun e Ministrisë së Brendshme.  Jo zyrtarisht, nga mazhoranca qarkullon një variant që Rama nuk do t?i dërgojë kandidaturë tjetër Presidentit Meta, por do dërgojë z. Lleshi në krye të ministrisë, por si zv/ministër. Por fakti që janë jo pak, por dhe tre vjet qeverisje, drejtimi i një ndër ministrive më të rëndësishme në vend me një zv/ministër do të jetë gjithsesi eksperimental dhe sfidues. Por sërish fusha e shahut mund të sjelle ndryshim qëndrimi në lojën e secilës palë, për të parë nëse do ketë ushtarë të tjerë që bien.

Recommended