6 te vrare ne 2 muaj ne Shkoder

  • 6 years ago
Ekzekutimi i biznesmenit Arian Ferracaku thelloi bilancin e rëndë të viktimave në atentate mafioze të 2 muajve të fundit në Shkodër. Blutë janë duke hetuar në disa pista për eliminimin e 31-vjeçarit, por zbulimi i autorëve duket ende larg. Mbi 30 të shoqëruarit pas krimit nuk kanë dhënë asnjë detaj për zbardhjen e motivit dhe autorët e krimit.

2 muajt e fundit, Shkodra ka qenë qyteti ku kanë ndodhur më shumë vrasje të tipit mafioz ende të pazbardhura.

Gjithçka nisi më 18 Qershor, ku në qytetin verior u ekzekutua me një plumb në kokë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi. Motivet dhe autorët ende nuk dihen. Kjo ngjarje do të pasohej ndoshta nga një nga krimet më të rënda të ndodhur ndonjëherë.

Më 15 Korrik u ekzekutua ish-oficeri i policisë Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Ata u qëlluan në makinë në kohën kur do të zbrisnin para banesës dhe bashkë me ta në mjet ishte dhe fëmija i tyre vetëm një vjeç. Edhe në këtë rast, autorët dhe motivet nuk dihen.

Më 10 Gusht, Shkodra do të tronditej nga një tjetër atentat mafioz. I vrarë mbeti Fatbardh Lici, i cili u qëllua nga një breshëri automatiku gjatë kohës që po pinte kafe në një lokal në lagjen Kiras. Ende edhe sot nuk ka të arrestuar, apo një pistë konkrete ku të jetë fokusuar puna e policisë.

Prej 23 Gushtit, dy persona rezultojnë të zhdukur në Shkodër. Për fatin e Agron Mollajt dhe Gëzim Hysajt, dajë e nip mes tyre, nuk dihet asgjë. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri.

Për të mos mjaftuar këto ngjarje, më 27 Gusht, pas një konflikti për motive banale, Alfred Pëllumbi vrau me thikë komshiun e tij Prendush Fusha. Vetëm autori i këtij krimi u vu në pranga brenda 24 orësh.

Tv Klan

Recommended