Ne zgjedhjet lokale do te pilotohet teknologjia

  • 6 years ago
Socialistët kanë vendosur që të pranojnë kërkesën e opozitës për të futur në zgjedhje përdorimin e teknologjisë. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, në emër të mazhorancës thotë se do të pranojnë çdo propozimi që vjen nga demokratët për amendime në ligjin elektoral, përfshirë dhe votimin elektronik, i cili do të testohet në zgjedhjet lokale në një bashki që ende nuk është vendosur se cila do të jetë.

Paralelisht do të pilotohet dhe depolitizimi i komisioneve zgjedhore, rekomandim ky i OSBE/ODIHR.

"Jemi gati të pranojmë çdo propozim, mjafton që të mos prekë Kushtetutën".

Por Çuçi mohon që dakortësia të jetë gjetur mes 2 partive të medha edhe për të mos prekur sistemin zgjedhor. Ai thotë se kjo çështje nuk është diskutuar pasi kërkon dakortësi politike dhe publike që shkon përtej kompetencave të një komisioni Ad-Hoc.

"Ne nuk e dimë çfarë diskuton Basha me aleatët, është keqkuptuar deklarata e përfaqësuesve të Komisionit të Venecias".

Bledi Çuçi nuk mohon një ndërhyrje të mundshme në Kushtetutë, por jo për të ndryshuar sistemin por për të mundësuar votën e emigrantëve.

"Po diskutojmë disa variante. Një nga variantet është dhe vendosja e një kuote për emigrantët që kërkon ndryshime kushtetuese".

Komisioni është në fazën që ka nisur të shkruajë draftin e amendimeve të Kodit Zgjedhor që do t'i dërgohet për votim Parlamentit. Për këtë, dy forcat politike me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane, kanë kontraktuar dhe dy ekspertë të pavarur.

Burime i thanë Tv Klan se demokratët kanë përzgjedhur ish-ministrin demokrat të Drejtësisë Ilir Rusmajli, ndërsa socialistët një tjetër ish-ministër demokrat, Viktor Gumin.

Recommended