Arrest shtepie per Saimir Tahirin

  • 6 years ago
Arrest shtëpie ka dhënë Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u mor këtë të shtunë nga gjyqtarja Liljana Baku, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg pa afat për ish-zyrtarin e lartë. Akuza ndaj Tahirit është ajo e ngritur në Tetor të vitit të kaluar për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Lëvizja e Prokurorisë për Krimet e Rënda vjen pas mbërritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Itali dhe Greqi. Në këto materiale ka prova të reja mbi aktivitetin e klanit Habilaj dhe rolin që ka patur ish-ministri në mbështetjen e këtij grupi.

Përgjigje kanë sjellë edhe autoritet greke, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi verifikimin e disa lëvizjeve që Tahiri ka kryer atje. Në këtë vend sipas prokurorisë dyshohet se Saimir Tahiri është takuar me Artan Habilajn, ku ka udhëtuar edhe me Audin me targa AA 003 GB.

Prova të reja të cilat prokuroria i ka dorëzuar në gjykatë janë edhe disa dëshmi të marra dy javët e fundit. Janë dëshmitë e disa banorëve të Vlorës, kryesisht të fshatit Gjorm, një nga zonat ku Habilajt kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal. Në pyetje u morën edhe dy nga njerëzit më të afërt të Saimir Tahirit, shoferi Gentian Ceka dhe truproja Elvis Rexha.

Vendimi për të mbajtur në arrest shtëpie ish-Ministrin e Brendshëm vjen vetëm pak ditë pasi Tahiri la mandatin e deputetit, por edhe pas shkarkimit të Besim Hajdarmatajt nga Prokuroria e Krimeve te Rënda.

Në tetor të vitit të kaluar Këshilli i Mandateve refuzoi kërkesën e prokurorisë, që kërkonte autorizimin për prangosjen e ish-Ministrit të Brendshëm.

Fillimisht në 12 Dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve të Rënda dha si masë sigurie bllokimin e pasaportës së ish-ministrit, por ajo u rrëzua në 27 Dhjetor nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Recommended