"Kanabisi", zv/drejtoresha e Policise se Shtetit: Kontroll ambienteve te mbyllura

  • 6 years ago
Prefektura e Tiranës nën kujdesin e Prefektit të Qarkut, organizoi një takim sensibilizues për komunitetin në kuadër të parandalimit e kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018.
Në këtë takim morën pjesë zv/drejtoresha e Policisë së Shtetit. Aida Hajnaj, drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, përfaqësues të pushtetit vendor, të agjencive ligjzbatuese, përfaqësues nga Drejtoria Arsimore, shefat e Komisariateve të Policisë, shefat e sektorëve dhe specialistët e Policimit në Komunitet pranë këtyre komisariateve.
Zv/drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit theksoi se përveç punës për parandalimin e kultivimit të kanabisit, duhet thelluar lufta për goditjen e grupeve kriminale.
"Kontrollet duhet të vazhdojnë jo vetëm në zonat që janë kontrolluar një herë, por edhe në ambientet e mbyllura. Duhet të rritet bashkëpunimi midis agjencive të tjera që kanë detyrime për këtë fenomen. Të forcohet pjesa e goditjes së grupeve kriminale, nuk do të ketë tolerim për askënd", u shpreh Aida Hajnaj.
Në fjalën e saj në këtë takim, Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari ka kërkuar bashkëpunim, koordinim dhe raportime të punës javore nga të gjithë strukturat dhe agjencitë ligjzbatuese, për të arritur qëllimin për kontrollin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu u kërkua të krijohet harta e sipërfaqes totale të zonave të mundshme për kultivimin e bimëve narkotike.
Drejtori i Policisë së Tiranës theksoi angazhimin maksimal për të parandaluar mbjelljen, kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, duke arritur objektivin e Qeverisë Shqiptare në minimizimin dhe zhdukjen e këtij fenomeni, si kusht për integrimin e vendit në BE.
"Ne si polici kemi hartuar disa objektiva për të parandaluar këtë fenomen, ku qëllimi kryesor ka të bëjë me angazhimin për kontrollin e plotë të territorit, për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara, duke rritur kapacitetet e strukturave të Policisë në luftën kundër këtij fenomeni, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që merren me këtë lloj aktiviteti kriminal", tha Skënderaj.

Recommended