200 punonjes te ARMO-s nisin marshimin drejt Tiranes

  • 6 years ago
200 punonjës të rafinerisë së Ballshit ARMO kanë nisur marshimin në këmbë drejt kryeqytetit. Ata shprehen se do të protestojnë pranë zyrave të autoriteteve shtetërore në Tiranë dhe të kompanisë që menaxhon uzinën, duke ndjekur të njëjtin shembull me banorët e fshatit Zharrëz, disa muaj më parë.

Punëtorët kanë shpresë se do në këtë mënyrë do të arrijnë të detyrojnë autoritetet që të reagojnë për dhënien e pagës të muajit Nëntor dhe derdhjen e sigurimeve shoqërore të disa muajve.

Uzina e ARMO-S në Fier ndali punën në mënyrë përfundimtare dhe 200 punonjës të saj u transferuan në rafinerinë e Ballshit, por prej disa javësh edhe rafineria e Ballshit nuk funksionon.

Burime zyrtare për Televizionin Klan thanë se Inspektorati Shtetëror Teknik ka rekomanduar remonte për çështjen e sigurisë së fabrikës të përpunimit të naftës. Përmes një deklarate për shtyp, kompania IRTC Oil që ka marrë me qira rafinerinë shprehet se puna në uzinë është ndalur pasi kompania që prodhon naftën në Shqipëri nuk e furnizon atë me lëndë të parë për ta përpunuar, por e eksporton jashtë.

Menaxhuesi i ARMO-s thotë se gjatë këtij viti rafineria është fikur 10 herë dhe se ka ankimuar çështjen pranë autoriteteve përgjegjëse për të marrë dëmshpërblimin e situatës ku ndodhet ajo dhe punonjësit. Por sipas Bankers, kompania IRTC ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj të pagesave financiare, dhe kjo është arsyeja e vetme për mosfurnizimin me naftë të papërpunuar për kompaninë që operon në rafinerinë e Ballshit. Sipas Bankers, nëse kompania IRTC vazhdon me këtë situatë, mund të çojë në mbylljen e rafinerisë së Ballshit.

TV Klan

Recommended