“Bashkime të vogla në Ballkan në mungesë të BE?”, deklaratat e Ramës nuk priten mirë në Bruksel

  • 7 years ago
Deklaratat e Ramës se në mungesë të një perspektivë reale të Bashkimit Europian në Ballkan nuk përjashtohet mundësia e bashkimeve të vogla në rajon, nuk janë pritur mirë në Bruksel.

"Më lejoni të shpreh zhgënjim dhe mërzitje nëse mund t'a quaj kështu, lidhur me deklarata ndezëse nga disa liderë në Ballkan. Këto deklarata që mund të konsiderohen si ndërhyrje në politikën e fqinjësisë dhe të cilat implikojnë ndryshimin e kufinjve nuk janë të pranueshme dhe janë më shumë se të panevojshme dhe kundër produktive".

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn thotë se Europa nuk arrihet përmes presioneve.

"Nëse dikush mendon se mund të na bëjë presion me deklarata të tilla, gabohet shumë rëndë, sepse kjo mund të kthejë zjarrin mbrapsht te dërguesi i mesazhit. Europianët kanë interes që të kenë paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kjo mund të arrihet me fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe kontribut për perpsektivën europiane".

Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç i pyetur nga Televizioni Klan, ka dhënë këndvështrimin e tij lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama.

"Serbia po reagon ndaj këtyre deklaratave në mënyrë të moderuar, jo sepse ka frikë apo se është e dobët, por sepse do t'i përmbahet interesit të përgjithshëm. Kjo nuk është gjuha që ne duam të përdorim dhe idetë që duam të ndjekim. Kjo është një lloj retorike që mund të përdoret dhe nga politikanët serbë. Edhe ne mund të flasim rreth idesë që serbët e Republika Serbska, të Kroacisë dhe Malit të Zi të jetojnë së bashku në një vend të vetëm. Por kjo nuk do na çonte drejt mënyrës europiane të progresit, por do na çonte mbrapa.

Komisioneri Hahn ka deklaruar se së shpejti priten të hapen kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe se dialogu me Prishtinën pritet të fillojë së shpejti. Duke u përgjigjur për Televizionin Klan, Hahn ka thënë se shpreson të arrijë rezultatet konkrete për tregun e përbashkët ekonomik të Ballkanit gjatë Samitit me liderët e Ballkanit në Trieste në kuadër të procesit të Berlinit.

Tv Klan

Recommended