Nis pastrimi i liqenit të Kukësit - News, Lajme - Vizion Plus

  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Nisi sot në Kukës pastrimi i sipërfaqes së liqenit të Fierzës nga ndotja masive e krijuar si rezultat i ardhjes së mbeturinave nga Kosova dhe Maqedonia nëpërmjet grykëderdhjes së lumenjve Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Në këtë aksion po marrin pjesë rreth 1 mijë persona, shumica nxënës shkollash, të cilët janë shpërndarë sot në vatrat më të ndotura drejt sipërfaqes apo brigjeve të liqenit, për të pastruar më shumë se 25 ton mbeturina, që qëndronin në ujërat e liqenit, prej disa ditësh. Në këtë aksion të drejtuar nga Prefekti, Safet Gjici, janë angazhuar më shumë se 30 automjete dhe 20 varka peshkimi, ndërkohë procesi është monitoruar nga ekspertë të fushave të ndryshme. Nga ana tjetër, grupi task forcë në Prefekturën e Kukësit ka nisur negociatat me palën kosovare për të gjetur një zgjidhje përfundimtare sa i takon hedhjes së mbeturinave në liqen, si nga komunat e Kosovës ashtu edhe ato të qarkut të Kukësit. Mbeturinat që nxirren nga sipërfaqja e ndotur e liqenit do të ndahen në dy grupe, të riciklueshme ose jo. Ekspertët vlerësuan se ndotja është shumë e madhe dhe sipërfaqja e ndotur në Liqenin e Fierzës, është 25 kilometër katror, nga 81.6 kilometër që është e gjithë sipërfaqja e tij. Volumi i mbeturinave, që llogaritet të jenë grumbulluar në Liqenin e Fierzës, arrin në rreth 120 metër kub. Ndërkohë, specialistët kanë propozuar vendosjen e një rrjete në grykëderdhjen e lumit Drin për të penguar ardhjen e mbeturinave nga Kosova drejt Shqipërisë, por një ndërmarrje e tillë kërkon angazhimin edhe të autoriteteve më të larta shtetërore.

Recommended