Prokuroria, rekurs në gjykatën e Lartë për zyrtarët - News, Lajme - Vizion Plus

  • 8 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Gjatë dy muajve të fundit, prokuroria ka kërkuar në gjykatë arrestimin e 87 personave,  për të cilët ka ngritur akuzat për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion". Mes të arrestuarve janë edhe zyrtarë të niveleve të ndryshme, si kryetari i bashkisë së Kamzës, gjyqtari dhe prokurori i Pukës, si dhe punonjës policie të niveleve të ndryshme. Por, megjithëse gjykatat e shkalleve të para kanë pranuar kërkesat e organit të akuzës, shumë prej të arrestuarve, sidomos zyrtarët e lartë  nuk kanë qëndruar gjatë prapa hekurave. Ka qenë gjykata e Apelit, ajo që ka prishur masat për shumë prej tyre, duke i lënë në "arrest shtëpie" apo "detyrim paraqitjeje", megjithëse prokuroria ka kërkuar të kundërtën. Burime nga organi qendror i akuzës bëjnë me dije, se për të gjitha rastet do të kërkohet rekurs në gjykatën e Lartë. Zyrtarisht njoftohet se janë në pritje zbardhjet e vendimeve për ish-prokurorin e Pukës, Pëllumb Premçi, ish-kryetarin e gjykatës së Pukës, Shtejfen Lleshi si dhe për kryetarin e bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Vendimi për ta është marrë nga gjyqtarja, Zegjine Sollaku, që i ka kaluar nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" ose "detyrim paraqitjeje". Ndërkohë që gjykata e Lartë duhet t'i shqyrtojë këto rekurse brenda 15 ditëve nga depozitimi i kërkesave.  Të njëjtin qëndrim prokuroria do të mbajë edhe për vendimin e djeshëm që dha gjykata e Apelit në Korçë, e cila ndryshoi masën për ish-drejtorin e Kufirit, Ylber Zyberi. Gjithashtu, mësohet se brenda muajit janar, për këto dosje do të përfundojnë hetimet dhe do të dërgohen për gjykim.

Recommended