Banorët e Nartës në protestë: Duam Siguri - Vizion Plus - News, Lajme

  • 9 years ago
Prej 11 vjetësh, sipas banorëve, fshati Nartë i Vlorës ka rënë pre e vjedhjeve, grabitjeve dhe përdhunimeve të grave të moshuara, të cilat jetojnë vetëm pas largimit të fëmijëve në emigracion. Fenomeni, kohët e fundit është bërë edhe më shqetësues pasi brenda dy vjetësh, sipas banorëve, janë përdhunuar gjatë natës 20 gra të moshuara të fshatit. Të revoltuar për situatën e pasigurtë, më shumë se 200 banorë të Nartës kanë protestuar në qendër të fshatit dhe kërkojnë ndihmën e policisë së shtetit për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të këtyre akteve të turpshme. Burrat e fshatit thonë se janë të gjithë të gatshëm të kryejnë analizën e AND -- së për të përjashtuar versionin e policisë se përdhunuesit janë banorë të Nartës. Gratë e reja dhe të vjetra të Nartës thonë se për shkak të turpit shumica e rasteve të përdhunimeve nuk janë denoncuar në polici. Në komunikatën e saj për këtë shqetësim të banorëve të Nartës, policia e Vlorës thotë se në shtëpinë e të moshuarës me inicialet E. N. ka hyrë nga dritarja një person dhe po sipas policisë ai ka dalë pasi ka parë të zonjën e shtëpisë. E moshuara i është nënshtruar ekspertizës mjeko- ligjore prej së cilës ka rezultuar se ajo nuk ka shenja të dhunës seksuale, por po punohet për sqarimin e situatës, nëse bëhet fjalë për marrëdhënie seksuale me persona të pazotë e mbetur në tentativë apo për "Vjedhje". Sipas policisë, rreth 4 muaj më parë është denoncuar një rast përdhunimi dhe autori është prangosur, ndërkohë që nuk ka asnjë denoncim tjetër të kësaj natyre.

Recommended