"European Voice": Zgjedhjet në Shqipëri, test ambicies europiane - Vizion Plus - News - Lajme

  • 8 years ago
Në një shkrim analitik të titulluar: "Zgjedhjet në Shqipëri do të testojnë ambiciet europiane", portali i njohur "European Voice" evidenton problematikat e hasura, pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, siç janë shitblerja e votave, apo situata në KQZ. "Të dhënat fillestare nuk janë premtuese, me pretendimet për blerje votash, presion ndaj nëpunësve të shtetit, mbulim mediatik të njëanshëm dhe një listë zgjedhësish me probleme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu është goditur nga një përplasje që erdhi, pasi një anëtar u zëvendësua në prill nga parlamenti dhe tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqje si pasojë e këtij veprimi. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se ky komision duhet të jetë i lirë nga ndërhyrjet e çdo individi apo institucioni, përfshi këtu parlamentin e Shqipërisë. Komisioni tani ka katër anëtarë." Në artikull theksohet se vendi ynë ka bërë një progres shumë të ngadaltë, duke menduar vitin 2009, kohën kur aplikoi për anëtarësim në BE. "European Voice" nënvizon se zgjedhjet, testi i rëndësishëm për integrimin, mbahen vetëm katër ditë, para se BE të vendosë në samitin e radhës, avancimin e Serbisë dhe Kosovës në fazat e tjera për anëtarësim në union. Më pas, kjo media, jep panoramën e zhvillimeve politike të këtij viti. Ajo ndalet te kritikat që bëri Shtefan Fyle për nismën e kryeministrit Berisha për referendum për tre ligjet, që sipas eurokomisionerit anashkalonte dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv me opozitën për axhendën europiane. Qeveria, vijon "European Voice", u tërhoq nga referendum, por incidenti tregoi polarizimin e sistemit politik, që prej kohësh dominohet thuajse nga të njëjtët njerëz, Berisha dhe Rama. Më pas, duke iu referuar sondazheve të fundit, portali shkruan se Rama është në avantazh me shtatë për qind ndaj koalicionit të mazhorancës. Megjithatë, në artikull theksohet se projeksionet janë të komplikuara për shkak të sistemit elektoral që i ndan mandatet në nivel rajonal dhe kombëtar. Në mbyllje të shkrimit jepet sfondi i zhvillimeve politike në Shqipëri në vitet e fundit, që nga ngërçi i krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2009, vrasjen e katër protestuesve opozitarë në janar të 2011-ës dhe zgjedhjet vendore të po atij viti, që sipas portalit, nxorën fitues kreun e PS-së Rama, i cili akuzoi mazhorancën për parregullsi. Këto zhvillime, sipas "European Voice", ngrinë tentativën e Shqipërisë për progresin në integrimin në BE.

Recommended