Shkupi 'vatër' i kryqeve!

  • 9 years ago
Një tjetër kryq gjigant do të mbijë në Qytetin e Shkupit edhe atë në Komunën e Aerodromit. Ky kryq do të jetë vetëm disa metra më i shkurtër se kryqi në malin Vodno. Kryqi do të jetë i gjatë 56 metra dhe i gjerë 4 metra, ndërsa krahët horizontal shtrihen me gjerësi 34 metra. Ai do të financohet nga Kongresi Botëror Maqedonas. Kryetari i Kongresit Todor Petrov, tha se Maqedonia është baza e krishterimit në Evropë, ndërsa Komuna Aerodrom sipas tij, është komuna më krishtere në vend.

"Maqedonia është baza e krishterimit në Evropë. Apostulli i shenjtë Pavle, kishat e para në Evropë i ka ndërtuar në qytetet maqedonase Ber, Selanik dhe Filipi. Për këtë shkak, kryqi nuk është konspiracion apo provokim. Ai është pjesë e pandarë e kulturës së Maqedonisë. Kryqi është legjitimim i Maqedonisë para botës dhe Evropës", deklaroi Todor Petrov, kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas.

Vendimin për ndërtimin e kryqit e ka miratuar me shumicë votash Këshilli komunal i Aerodromit. Një vendim i tillë vjen vetëm 1 vit pasi komuna Aerodrom nuk kishte dhënë leje për ndërtimin e një xhamie në fshatin Lisiçe në Aerodrom, ku jetojnë banorë të përkatësisë fetare islame.Vitin e kaluar kryetari i Komunës së Aerodromit Ivica Konevski kishte deklaruar se nuk do të lejojë ndërtimin e xhamisë në Komunën që ai drejton. Sot Konevski, bashkë me kryetarin e Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, dhe deputetë e kryetarë komunash nga radhët e VMRO DPMNE-së zbrazën lopatat në gurthemelin e kryqit.

Premtimi i Kongresit Botëror Maqedonas është se pasi të përfundojnë punimet me kryqin, ai do ti falet Komunës për mirëmbajtje dhe shfrytëzim. Sipas parashikimeve, kryqi do të shihet pothuajse në të gjithë territorin e Shkupit, ndërsa nuk zbardhet kostoja për ndërtimin e tij. Benjamin Arifi