Vatileaks, kapet shërbëtori spiun

  • 9 years ago
Vatikani mbyll një nga vrimat e zeza të shkaktuara nga publikimi i dokumenteve sekrete. Është zbuluar identiteti i njeriut i cili pati nxjerrë dhjetëra dokumente konfidenciale, publikimi i të cilave e vuri në siklet Vatikanin muajt e fundit. Sipas mediave, mësohet se shërbëtori spiun i Papa Benediktit është arrestuar. Ai quhet Paolo Gabriele, dhe i ka shërbyer personalisht Papës 85 vjeçar nga viti 2006. Vatikani e ka burgosur tashmë Gabrielen në një nga qelitë e burgut të tij, pasi e kapi atë me presh në duar, me dokumente sekrete. Por skandali Vatileaks nuk përfundon këtu. Një varg letrash të dala në publik, mes Vatikanit dhe burimeve dhe kupolës së tij, vazhdojnë të mbajnë pushtuar titujt e gazetave në Itali. Spekulimet filluan kur një media lokale, shkroi për takimet që spiuni i Papës, i njohur me emrin 'Maria' zhvillonte me një gazetar Gianluigi Nuzzi, në një apartament bosh të fshehtë, duke i kaluar atij dokumente shumë konfidenciale gjatë vitit të kaluar. Artikujt e gazetarit Nuzzi dhe një libër skandaloz i botuar vetëm javën e kaluar, tronditën Vatikanin duke i dhënë një tjetër imazh, atë të një foleje nepërkash për rivalitet dhe plot korrupsion. Benedikti XVI lëshoi një deklaratë duke thënë se ishte i 'i lënduar' nga tradhtia e shërbëtorit, dhe se do ta padiste atë.
"Të dashur miq, ne duhet të udhëhiqemi nga shpirti i unitetit dhe të së vërtetës, dhe për këtë duhet t'i lutemi Zotit që të na ndriçojë mendjen dhe të na udhëheq drejt të vërtetës sonë, të pranojmë të vërtetën e transmetuar nga Krishti në Kishë", deklaroi Papa Benedikti.
Shërbëtori Paolo Gabriele ka shanse të shkojë në gjyq, dhe mund të përballet deri në 20 vjet burg për vjedhje të korrespondencës ndaj një kryetari shteti. Gabriele ishte parë shpesh në funksione publike në krah të Papës, duke e ndihmuar atë të ngjiste shkallët apo t'i mbante çadrën nga dielli. Admir Qose

Recommended